Nuk pagoi sigurimet shoqërore të punonjësve, kallzohet penalisht ish-kreu i Bashkisë Kukës

21/12/2015 11:55

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, është kallzuar penalisht për herë të dytë brenda tre muajve.

Burime të Prokurorisë së Kukësit bëjnë me dije se ka mbërritur një kallzim penal për mospagesa të kontributit të sigurimeve shoqërore për punonjësit e Bashkisë Kukës, që arrijnë në vlerën e 64 milionë lekëve të reja e me kamatëvonesa kjo shumë shkon në 102 milionë lekë të reja.

Në kallzimin penal të bërë nga Bashkia e Kukësit, referencë është marrë neni 20 i ligjit 9136 për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Sipas këtij neni, kur punëdhënësi mban kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve, por nuk i derdh ato në organet tatimore, gjobitet me 50% të shumës së kontributit të papaguar.

Kur këto kontribute nuk paguhen në organet tatimore tre muaj pas datës së përcaktuar me ligj, punëdhënësi kallzohet penalisht.

Bashkia e Kukësit ka të papaguar rreth 5 vite kontribute të sigurimeve shoqërore.

Top Channel