F1, Vettel e Kimi: Po ndjekim rrugën e duhur kundër Mercedesit

21/12/2015 00:00

Sebastian Vettel përgatitet për një sezon kompetitiv dhe në sulm gjatë vitit të ardhshëm, me Ferrarin e tij në sportin më të ndjekur të automobilizmit, Formula 1.

“Vitin tjetër duam të jemi kompetitivë kundër Mercedesit, e për këtë arsye nuk mund të jap ndonjë detaj, pasi kështu do të zbulonim sekretet tona”, shprehet piloti gjerman në faqen zyrtare të internetit të “kokëkuqes”.

“Sigurisht që duhet të përmirësohemi në shumë fusha, përfshi aerodinamikën dhe njësinë motorike, megjithatë mendoj se rezultatet e këtij sezoni treguan se jemi në rrugën e duhur”.

Sa i përket atij që përfundoi vetëm pak kohë më parë me triumfin e Hamilton, “jam habitur më së shumti nga rezultatet. Sinqerisht nuk e prisja një sezon të tillë, treguam se ishim më të fortë nga sa parashikohej”.

Për sezonin e 2016-s flet edhe Kimi Raikkonen. “Është e qartë – thotë ai, – se ashtu si Ferrari, edhe ne duam të fitojmë. Nuk do të jetë e lehtë, sepse të njëjtën ide, synim apo objektiv e kanë edhe skuadrat e tjera, por ne duhet të japim maksimumin tonë për të rikthyer titullin kampion në Maranello. Është ende herët të themi sesi do të shkojnë gjërat, por ne do të bëjmë më të mirën tonë, ndërkohë që ka edhe faktorë të tjerë që nuk varen nga ne. Le të shohim se ç’do të ndodhë. Tani për tani mund të flasim vetëm për testimet dimërore, ndërkohë që njerëzit presin gjithnjë e më shumë për vitin në vijim, edhe pse ajo çfarë bëmë në sezonin e sivjetshëm ishte gjithashtu tepër e mirë. Besoj se sezoni tjetër do të jetë i ndryshëm, pasi ndryshojnë shumë edhe njerëzit”.

Ndërkohë, piloti që aktualisht është i treti i skuderisë nga Maranello, Esteban Gutierrez, në vitin 2016 do të jetë pilot i dytë i skuderisë së re “Haas”.

Top Channel