Dënimi nga FIFA, Blatter do ta apelojë në CAS

21/12/2015 00:00

Sepp Blatter reagoi menjëherë për vendimin e Komisionit të Etikës së FIFA-s për dënimin e tij me 8 vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet për korrupsion. Në një konferencë për shtyp, 79-vjeçari deklaroi se ndihet keq për çfarë ndodhi dhe konfirmoi se do të apelojë këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

“Më vjen shumë keq, jam i trishtuar për futbollin dhe FIFA-n. Por unë do të luftoj për veten time dhe këtë institucion. U pezulllova 8 vjet, por nuk e kuptoj për cfarë. Fola dhe me avokatin tim që me siguri nuk ishte aspak i habitur nga ky vendim që fillimisht u mor nga media dhe më pas nga Komisioni i Etikës. Unë dhe Platini dhamë të njëjtat përgjigje, por mesa duket anëtarëve të tij nuk u interesojnë shumë. Do t’i drejtohemi Apelit për këtë vendim e më pas do të shkojmë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Ndoshta mund t’i drejtohemi edhe drejtësisë zvicerane duke qenë se unë jam zviceran. Sipas ligjeve të vendit tim, një person dënohet me 8 vjet pezullim nëse vetëm ka kryer diçka të rëndë”, tha 79-vjeçari.

Blatter foli edhe për çështjen e caktimit të Rusisë dhe Katarit për organizimin e Botërorëve 2018 dhe 2022, çështje kjo që po hetohet në fakt nga Prokuroria zvicerane.

“Ideja jonë ishte që në 2018 Botërori të zhvillohej në një vend europian që nuk e kishte pritur kurrë më parë një eveniment të tillë. Në 2022 mund të kishim shkuar në SHBA dhe ndoshta nuk do të ishte krijuar kjo situarë. Nuk e di nëse ndihem i tradhtuar. Gjykata do të duhet që të tregojnë nëse po mohohen provat dhe se po krijohet diçka e pavërtetë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë unë jam i pafajshëm”, vijoi Blatter.

Top Channel