Berisha nuk paraqitet në SPAK për 21 Janarin. Prokuroria e Posaçme ia çoi fletëthirrjen në Kuvend, grupi i PD e refuzoi PS e PD erdhën në seancën e kësaj të hëne me nga një akt respektiv për heqjen e dekoratave njerëzve që kanë shërbyer në regjimin komunist.
Socialistët, përmes dy amendamenteve, ku bie ne sy si rrallë herë propozues firma e kryeministrit Edi Rama dhe nënkryetarit të grupit Taulant Balla, saktësojnë kush nuk mund të dekorohet më dhe kujt i hiqen dekoratat e medaljet.
Çdokush që ka një vendim të formës së prerë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, bashkëpunim me pushtuesin apo veprimtari agjenturore nuk do të mund të dekorohet, ose do t’i hiqet dekorata nëse i është dhënë.
E njëjta gjë parashikohet edhe për mbajtësit e këtyre pozicioneve gjatë regjimit totalitar: anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, drejtues i Frontit Demokratik, kryetar i Gjykatës së Lartë, hetuesisë, degëve të punëve, ish-punonjës i sigurimit, bashkëpunëtor apo i favorizuar prej tij, si dhe prokurorët, gjyqtarët dhe hetuesit e gjyqeve politike.
Kjo është në thelb të propozimeve të socialistëve. Ndërsa demokratët u paraqitën me një draft rezolutë, që i kërkon Kuvendit të njëjtën gjë për saktësimin e personave që përjashtohen nga nderimi me medalje apo dekorata.
Dy aktet, përveç se në formë, në brendësi ndryshojnë vetëm nga kërkesa e demokratëve që këtyre kategorive t’u hiqet edhe trajtimi financiar më i lartë, ai si ish-veteranë të Luftës, çka socialistët thanë se kërkon ndërhyrje në ligjin për statusin e veteranit, që do të ndryshohet në sesionin tjetër.
Demokratët e sollën këtë rezolutë me argumentin se e majta në pushtet po tenton rehabilitimin e ish-funksionarëve të diktaturës komuniste.
“Në 25 vjet nuk keni kërkuar ndjesë akoma dhe sot na flisni për faj të PD. Jepni dekorata dhe thoni që fajin e ka Sali Berisha. E kishit mundësinë që ashtu siç ia dhatë dekoratën, brenda 5 minutave t’ia hiqnit pasi e morët vesh, se gjoja nuk e dinit, se aty ishte edhe ai që ka torturuar At Zef Pëllumbin dhe shumë të tjerë të pafajshëm”, deklaroi kreu i grupit të PD, Edi Paloka.
“Natyrshëm lind pyetja, ku keni qenë? Sigurisht që keni qenë këtu, 13 vjet në pushtet. Sot doli problemi për të dekriminalizuar periudhën e komunizmit? Keni pasur 16 vjet në karriken e presidentit presidentët tuaj. Prandaj, nëse s’keni axhendë tjetër, s’keni kauzë dhe bëni çfarë iu del brenda ditës, ne nuk jemi këtu as t’ju mësojmë se ç’është opozita e as t’ju japim mësime të gatshme sesi bëhen nismat”, replikoi kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi.
Amendamentet e socialistëve nuk hynë dot në rend të ditës me procedurë të përshpejtuar për shkak se një tjetër projektligj kishte hyrë në këtë mënyrë në rendin e ditës dhe rregullorja e ndalon të jenë dy të tillë. Ndërsa demokratët këmbëngulën që rezoluta të miratohej si shprehje e një vullneti politik.
“E para, duhet që rezoluta e vullnetit të mirë të kalojë sot. Dhe e dyta, që kryeministri të heqë me VKM dekoratat e dhëna kriminelëve. Ky është qëndrim politik dhe ky është vullnet politik. Të tjerat janë hipokrizi”, deklaroi deputetja e PD, Jozefina Topalli.
“Rezoluta juaj u kontestua se nuk është depozituar akoma në Kuvend. Lidhur me nismën e PS u bë e qartë se ajo nuk mund të shqyrtohet sot sepse kemi një akt që kalon me procedurë të përshpejtuar dhe nuk mund të jenë dy të tilla”, sqaroi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Këto ndryshime do të miratohen sesionin tjetër, që nis në mes të janarit dhe palët votuan që ajo të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.
Top Channel