Shifra dhe fakte pas një ndeshje të “çmendur”

20/12/2015 00:00

Ndeshje e çmendur, vetëm kështu mund të përkufizohet sfida ndërmjet Realit dhe Vallecano-s që përfundoi 10-2, pavarësisht se miqtë ishin duke fituar 1-2 deri në minutën e 25-të.

Mirëpo, kjo nuk ishte hera e parë që Real shënon 10 ose më shumë gola në një ndeshje kampionati, pasi këtë e ka bërë edhe dy herë të tjera.

Në vitin 1960 Real fitoi 11-2 përballë Elches, duke qenë edhe hera e parë që shënon mbi 10 gola.

Gjithsesi, në ndeshjen ndaj Vallecanos, Reali shënoi më shumë gola se sa Malaga gjatë gjithë këtij sezoni. Kjo skuadër ka shënuar vetëm 9 gola në 16 ndeshje.

Njeriu i ndeshjes, Gareth Bale shënoi katër gola në një ndeshje për herë të parë në karrierën e tij si futbollist. Gjithashtu, ai konfirmohet si një nga lojtarët më produktiv, pasi në 69 paraqitje me fanellën e galaktikëve ka qenë i përfshirë direkt në 61 gola (34 gola dhe 27 asiste).

Uellsiani gjithashtu është njeriu i asisteve këtë vit, pasi është i pari në këtë listë me 7 të tillë. 

Real Madrid ka shënuar më së shumti gola me kokë këtë sezon, 7 të tillë, ndërsa për herë të parë pas dy vitesh pëson dy gola me kokë në një ndeshje. Herën e fundit kur madrilenët ishin ndëshkuar nga kundërshtarët me kokë ka qenë në sfidën me Valencian në dhjetor të 2013-s.

Cristiano Ronaldo ka shënuar 49 penallti në La Liga, 18 më shumë se çdo lojtar tjetër që nga sezoni 2009/10. Ndërkohë, shoku i skuadrës, braziliani Danilo, bëhet mbrojtësi i parë në histori të skuadrës që shënoi dhe asistoi në një ndeshje në kampionat.

Karim Benzema ka shënuar 13 gola në 13 raste kur ka nisur ndeshjen si titullar. Kolumbiani James Rodriguez bëhet lojtari i parë që asiston tre herë në një ndeshje që pas Mesut Ozil, i cili e kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2012 në sfidën ndaj Granada-s.

Top Channel