F1, Wolff: Rosberg të presë për rinovimin

20/12/2015 14:30

Nico Rosberg duhet të presë për nisjen e bisedimeve me Mercedesin për rinovimin e kontratës.

Ai që e ka deklaruar këtë është shefi i skuadrës gjermane, Toto Wolff, në një intervistë për “Auto Sport”. Nico Rosberg ka një kontratë që skadon në fund të vitit 2016 dhe sipas Wolff bisedimet për zgjatjen e saj do të nisin pas disa javësh.

“Dyshja aktuale e pilotëve te ne është fantastike. Si Hamilton ashtu edhe Rosberg kanë meritën më të madhe për ta çuar skuadrën tonë në nivelet e larta ku ndodhet tani. Por është ende herët që të diskutojmë për rinovimin  e Rosbergut. Dua të shoh se si do të shkojnë punët në prag të sezonit të ri, pasi ka aspekte ku duhet të punojmë së bashku si skuadër”, tha Wolff.

Ndërsa Hamilton nuk ka probleme me kontratën me Mercedesin. Piloti britanik, 3 herë kampion bote në Formulën 1, në fakt e ka bërë rinovimin e tij me Mercedesin deri në vitin 2018.

Top Channel