Vrau në 2003-in, arrestohet në Itali i shumëkërkuari

18/12/2015 10:55

Policia italiane arrestoi shtetasin shqiptar, Genci Pjetri, 36-vjeç, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare pasi ndaj tij ka një vendim të gjykatës që e dënon me 25 vite burgim për një vrasje të ndodhur në vitin 2003.

Pjetri u arrestua në qytetin e Romës, ku strehohej prej 12 vitesh. Policia italiane bën me dije se fillimisht ai u mundua t’i shmanget arrestit duke paraqitur gjeneralitete të rreme, por më pas u dorëzua dhe pranoi se ishte personi i kërkuar.

Pjetri akuzohet për vrasjen e shtetasit Hil Coli, ngjarje e ndodhur në vitin 2003, vrasja e bërë për gjakmarrje. Menjëherë pas vrasjes, Pjetri ka humbur gjurmët dhe për 12 vite me radhë u është shmangur autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe italiane.

36-vjeçari ndodhej në listën e 100 personave më të kërkuar të Interpol Tiranës.

Top Channel