NBA, Cleveland fiton, LeBron James bën për spital spektatoren

18/12/2015 11:45

Cleveland Cavaliers arrin të kalojë pengesën Oklahoma City Thunder në ndeshjen e radhës së NBA. Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nga Ohajo e mbylli takimin me rezultatin 104-100, në një sfidë që nuk ishte aspak e lehtë për të, pasi në periodën e dytë dhe të tretë të ndeshjes Cavaliers e panë veten në disavantazh kundrejt Oklahomës.

Gjithsesi, gjërat për Cleveland ndryshuan në periodën e katërt, kur pikët e Thompson dhe Jefferson i dhanë mundësinë kësaj skuadre që të siguronte fitoren e katërt radhazi.

Protagonisti i kësaj sfide u bë LeBron James. “The King” e mbylli ndeshjen me 33 pikë dhe 11 asist, por vëmendjen më të madhe e fitoi në një incident me Eli Dej, bashkëshorten e golfistit Jason. James, që peshon 110 kg, ishte në tentativë për të fituar një top kur ra mbi Eli Dej, e cila u largua me barrelë nga “Quicken Loans Arena” për t’u dërguar më pas në spital.

“Më dha dorën dhe më tha se gjithçka ishte në rregull. Për mua ka rëndësi që ajo është mirë. Unë po kërkoja të mbaja topin, e urrej faktin që ndodhi e gjithë kjo”, tha James pas ndeshjes.

Në një ndeshje tjetër të NBA, Houston Rockets doli i fituar nga “Staples Center” teksa mposhti Los Angeles Lakers me rezultatin 107-87. James Harden ishte ai që shkëlqeu në parket me 25 pikë, ndërkohë që spikati edhe Dwight Howard me 16 pikë dhe 15 topa në tabële.

Për skuadrën kaliforniane, 22 pikët e të zakonshmit Kobe Bryant nuk mjaftuan për të evituar këtë disfatë. Fitore shënoi edhe Charlotte Hornets që mposhti Toronto Raptors 109-99 falë 35 pikëve të Jeremy Lin dhe 31 të DeRozan.

Top Channel