Deschamps: Benzema gaboi me Valbuenën

18/12/2015 11:10

“Karim Benzema gaboi teksa u përfshi në skandalin e shantazhit ndaj Valbuenës”. Kjo është ajo që ka deklaruar trajneri i përfaqësueses franceze, Didier Decshamps, në një intervistë për të përditshmen “Le Parisien”. Sipas tij, sulmuesi i Realit të Madridit nuk e vlerësoi siç duhej situatën në të cilën u ndodh dhe tani duhet përcaktuar se cili është raporti mes tij dhe Valbuenës.

“Lojtarët kanë një formë të tyren për të folur, gjë që në kohën time ishte diçka e pamenduar. Vendimi i presidentit të federatës për ta lënë jashtë kombëtares është koherent në aspektin e etikës dhe moralit. Fakti që lexojmë deklaratat e tij në gjykatë në media më duket e tepruar. Kur bëhet fjalë për një person publik, dënimi jepet pa u bërë gjykimi”, tha Deschamps.

Në intervistën e tij, trajneri la të nënkuptohej se nuk përjashtohet mundësia që Benzema të jetë në Evropianin e vitit të ardhshëm: “Në 6 muaj mund të ndodhin shumë gjëra. Lista përfundimtare do të jepet në muajin maj, por edhe ajo që do të publikoj në mars për ndeshjet miqësore do të ketë pothuajse të njëjtët futbollistë që do të luajnë në Euro 2016”.

Top Channel