Balloja e fundvitit, Nishani: Ndihmë fëmijëve në nevojë

18/12/2015 22:00

Ballon e fundvitit presidenti i Republikës, Bujar Nishani zgjodhi t’ia dedikojë një kategorie tepër të veçantë, fëmijëve me sindromën down.

Politikanë, diplomatë e biznesmenë ishin të ftuar në këtë mbrëmje për t’u ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve. Të ardhurat e ballos do të shkojnë pikërisht për ata që kanë nevojë për ndihmë dhe përkujdesje specifike.

Presidenti Nishani bëri apel për më shumë dashuri për njëri-tjetrin dhe më shumë përkujdesje për të pamundurit apo ata që thjesht dhe vetëm nuk janë si ne, ata që na mësojnë të mos shohim të pamundurën, por të gjejmë zgjidhjen.

“Në fund të fundit, paaftësia e pjesshme apo të qenit ndryshme janë çështje perceptimi. Nëse di të bësh dhe arrin të bësh diçka sado modeste, provon se je i vlefshëm për diçka. Gjithmonë duke pasur parasysh se jo çdo problem që hasemi është i zgjidhshëm, por asnjë problem nuk mund të zgjidhet pa u lodhur për ta zgjidhur atë”, u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti ftoi të gjithë të kontribuojnë sado pak për këta fëmijë, “jo vetëm pse ata kanë nevojë, por si nevojë e të gjithëve për të shprehur përgjegjshmëri, solidaritet dhe qytetari”, ishte mesazhi i presidentit.

“Ndihmojeni duke e konsideruar atë ndihmë siç ajo ashtu është, faktor i rëndësishëm që ju lartëson nderin dhe dinjitetin tuaj si qytetarë aktivë që arsyetojnë, reagojnë dhe kontribuojnë për të mirën e të gjithëve. Ju uroj të gjithëve ju, familjarëve tuaj, miqve tuaj, të gjithë shqiptarëve në këtë prag festash, gëzuar, gëzuar më shumë mbarësi, më shumë mirësi, më shumë paqe dhe më shumë dashuri. Faleminderit. Gëzuar!”, përfundoi Nishani.

Top Channel