Athinë, kapen shqiptarët me 3 kilogramë kokainë

18/12/2015 14:20

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga antidroga e Athinës, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas Policisë së Athinës, në flagrancë janë arrestuar Ergjys Seko, Mario Lesko dhe Fabiola Veizaj, përkatësisht 33, 35 dhe 29 vjeç, dhe është shpallur në kërkim një 38-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet publik për momentin.

Arrestimi i tyre u bë në lagjen e quajtur Argjirupoli, pasi prej kontrolleve të kryera iu gjet sasia prej 2 960 gramë kokainë e pastër, 6 kilogramë kanabis, sasia prej 65.400 eurosh, 3 peshore elektronike, 1 autoveturë që shërbente për transportin e lëndës narkotike,1 pistoletë me dy krëhëra fishekësh si dhe 9 telefona celularë.

Policia tha se kishte informacione në rrugë operative se organizata kriminale importonte lëndën narkotike nga Shqipëria dhe në vazhdim e shpërndanin atë në piacën e narkotikëve në Athinë.

Autoritetet greke thanë se lënda narkotike e bllokuar kishte një vlerë prej më shumë se 220.000 eurosh.

Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre iu dërguan Gjykatës së Athinës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Top Channel