TCH siguron draftin. Ja konkluzionet e Venecias për reformën në drejtësi

17/12/2015 15:00

Top Channel ka siguruar draft konkluzionet e opinionit të Komisionit të Venecias mbi reformën në drejtësi. Në dokument thuhet se, “të gjitha rregullimet institucionale duhet të rishikohen dhe të thjeshtohen, për shembull, duke lënë idenë e krijimit të një Inspektoriati të veçantë”.

Ndryshimet kushtetuese, sidomos mbi procesin e verifikimit, duhet të caktojnë vetëm parimet më të rëndësishme, duke i lënë detajet për legjislacionin zbatues. Komisioni i Venecias rekomandon që të qartësohet se, kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e kësaj gjykate duhet të kenë përgjithësisht një fuqi detyruese dhe Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë kompetencën për të rishikuar, të paktën, procedurën e ndryshimeve kushtetuese.

Në dokument theksohet se, roli i ministrit të Drejtësisë në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të rishikohet, në mënyrë që të shmangë konfliktin e mundshëm të interesit. Në përgjithësi, rregullimet institucionale duhet të rishqyrtohen për të hequr konfliktin e mundshëm të interesit. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të ketë karrige në Gjykatën Disiplinore.

Në opinionin e Komisionit të Venecias thuhet se, Kushtetuta duhet të caktojë parimet e përgjithshme, duke drejtuar procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si përzgjedhje e bazuar mbi merita, thirrje të hapura për kandidatët, procedura transparente të përzgjedhjes, mori kandidaturash, etj. Referenca e propozuar në Kushtetutë mbi përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve ka nevojë për sqarime të mëtejshme.

Kushtetuta duhet të qartësojë marrëdhënien ndërmjet Strukturës së prokurorëve specialë Antikorrupsion dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Duhet të vendoset një mekanizëm kundër bllokimit për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm.

Përbërja e komisioneve të pavarura të kualifikimit dhe statusi i anëtarëve të tyre duhet të garantojë paanshmërinë dhe pavarësinë e vërtetë. Gjyqtarët dhe prokurorët, që i nënshtrohen verifikimit, duhet të gëzojnë garancitë themelore për gjykim të drejtë dhe duhet të kenë të drejtën e ankimit te një organ i pavarur.

Duhet të përcaktohen statusi dhe kushtet e emërimit dhe shkarkimit për vëzhguesit ndërkombëtarë. Kompetencat e tyre duhet të përshkruhen më me saktësi dhe të zhvillohen më tej me legjislacionin zbatues, thuhet në draftin e Komisionit të Venecias, i cili është siguruar nga Top Channel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA