Të pastrehët dhe profesionet e lira kundër buxhetit 2016

16/12/2015 18:25

Rreth 5.600 qytetarë të pastrehë, që i përkasin shtresave në nevojë i kanë drejtuar një peticion Kuvendit të Shqipërisë përmes të cilit kërkojnë rishikimin e buxhetit për strehimin, që vitin e ardhsëm nuk parashikon asnjë fond për ndërtimin e banesave sociale.

Ata protestuan para kryesisë së Kuvendit një ditë para miratimit të buxhetit në Parlament, duke kërkuar zgjidhjen e çështjes së strehimit për mijëra familje.

“Ne kemi kërkuar që të shihemi me përparësi dhe që të ketë një zë në buxhetin 2016 për banesat sociale. Nuk ka banesa sociale me kosto të ulët”, u shpreh përfaqësuesi i komunitetit rom gjatë protestës.

Familjet e pastreha dhe në nevojë, paralelisht me këtë kërkojnë ndryshimin e ligjit që i përjashton nga strehimi social.

“I vetmi zë në buxhet është për ato familje që mund të marrin kredi, por këta familjarë nuk përfitojnë dot nga kreditë e buta sepse nuk kanë garanci bankat”, tha protestuesi.

Numri i familjeve të pastreha në të gjithë vendin është rreth 70 mijë dhe përbën një nga plagët më të mëdha sociale në vend.

Një ditë para miratimit të paketës fiskale në Parlament, edhe përfaqësues të profesioneve të lira protestuan para Kryesisë së Kuvendit për të kundërshtuar rritjen me disafish të sigurimeve për këto profesione si avokatë, mjekë, farmacistë, etj.

“Po merret parasysh që të konsiderohet rroga maksimale për çdo stomatolog që ka një NIPT, ose një biznes të tijin. Po jo çdo klinikë mund të ketë të ardhura për rrogë maksimale, 90 për qind e klinikave nuk i kanë këto të ardhura”, tha një dentist.

“Farmacisti është i vetmi profesion i rregulluar, sepse ka marzh të caktuar të tregtimit, që përcaktohet nga shteti dhe jo nga ne”, tha më tej një farmaciste.

Përfaqësues të profesioneve të lira kërkuan konsultimin me grupet e interesit, me pretendimin se drafti i qeverisë do të çonte në falimentim dhe shtrenjtim të tarifave për këto shërbime.

Top Channel