Shkojnë në Gjermani për të kuruar fëmijën, u djegin banesën

16/12/2015 17:20

Një banesë e komunitetit rom në fshatin Moravë të Beratit është përfshirë nga flakët në orët e natës, duke u shkrumbuar e tëra.

Banesa rezulton në pronësi të shtetasit Skënder Rrënja dhe nga mbikëqyrjet e para të vendit të ngjarjes policia dyshon se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme.

Vetë anëtarët e familjes Rrënja nuk ndodheshin në banesë në momentin e zjarrit, pas janë në Gjermani për të kuruar një prej fëmijëve të sëmurë të saj.

Bëhet fjalë për djalin 14-vjeçar të familjes, i cili rezulton se po lufton me vdekjen në spital për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Nikolin Rrënja, vëllai i kryefamiljarit, ka deklaruar se djegia e banesës vjen pas vjedhjes së pompës së ujit që ndodhej në oborrin e shtëpisë.

Ai ka apeluar për ndihmë, pasi jeta e nipit të tij të sëmurë është në rrezik dhe kthimi i familjarëve në Moravë do t’i gjejë ata pa banesë.

Problemet e komunitetit rom në fshatin Moravë, vetëm pak kilometra larg qytetit të Beratit, po i ndjek nga afër edhe kryetarja e organizatës “Gruaja Rome e së Nesërmes”, Nadire Rrënja, e cila ka deklaruar se problemet e kësaj familjeje janë të mëdha.

Top Channel