Partia Demokratike i ka dorëzuar një kërkesë Kuvendit ku kërkon mbarimin e mandatit të deputetit socialist Rakip Suli. Sipas demokratëve, deputeti ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHEE.
“Milionat që merr çdo muaj nga OSHEE, sjellin automatikisht papajtueshmërinë e mandatit të deputetit të Ramës. Pas denoncimit tonë tre ditë më parë, Suli e pranoi se godina e tij ka kontratë qiraje me OSHEE, por tha se ai nuk ka më aksione në këtë biznes. Dokumenti i QKR tregon se tashmë aksionet i ka Saimir Suli, djali i deputetit. Ky është një rast i përsëritur i abuzimit, i zhvatjes së milionave të parave të shqiptarëve nga deputetët e Edi Ramës”, tha Grida Duma, sekretare e marrëdhënies me publikun në PD.
Duma bëri thirrje për protestën e të enjtes përpara dyerve të Parlamentit. “Populli është në këmbë. Revolta do ta ndalë shtetin e korruptur të Edi Ramës”, tha Duma.
Top Channel