Investimet në spitalin e Shkodrës, 5 milionë dollarë në dy vitet e fundit

16/12/2015 15:00

Përmes një investimi prej 5 milionë dollarësh gjatë dy viteve të fundit, qeveria synon kthimin e spitalit rajonal të Shkodrës në një model të ri të shërbimit mjekësor.

Ky spital u vizitua nga kryeminisri Edi Rama në të cilin tashmë ofrohen një gamë e gjerë shërbimesh ndaj pacientëve, përmes pajisje mjekësore diagnostifikuese dhe kuruese të teknologjisë më të avancuar. Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj pa pavionet e reja

“Pajisje që ka ardhur këto ditë dhe bën pjesë në investimin e madh duke nisur që nga krevatet, aparaturat e monitorimit që janë shumë të vlefshme”, tha mjekja.

Investimet prej 75 milion lekë për këtë spital kanë përfshirë edhe pavionin e kardiologjisë.

“Kardiologjia në Shkodër po arrin standarde. Me instalimin e koronarografisë do të marrë një kapacitet tjetër”, thotë mjeku kardiolog.

Kryeminisri zhvilloi një bashkëbisedim me një paciente të moshuar.

“Kushtet janë tamam, doktorët janë të mirë, falë edhe jush”, tha pacientja.

“Jo unë nuk kam bërë gjë. Doktorët kur merren me mjekësi janë shumë të mirë”, iu përgjigj Rama.

Pjesë e këtyre investimeve është edhe kabineti i kimioterapisë dhe shërbimit paliativ.

“Është e rëndësishme të fillojë dhe kemioterapia. Nga ministria e Shëndetësisë, aparati ka ardhur dhe infermierët janë trajnuar dhe thjesht presim që vitin që vjen të fillojmë kemioterapinë, duke qënë se dhe numri i pacientëve është shumë i lartë”, thotë mjeku.

Sipas drejtuesve të këtij spitali Qendra për koronarografinë, do të nisë nga puna në fillim të vitit të ardhshëm. Ajo është e para qendër e tillë jashtë Tiranës, që do t’u vijë në ndihmë, jo vetëm banorëve të Shkodrës, por edhe të gjithë Veriut, duke shmangur radhët e gjatë të pritjes në spitalin e Tiranës.

Ndërkohë që këto ditë do të përfundojë puna për instalimin e rezonancës magnetike. Vitin e ardhshëm do të investohet në reanimacionin e përgjithshëm me një financim të Bankës së Këshillit të Europës rreth 47 milionë lekë.

Top Channel