Arratiset i arrestuari, deportohej nga Franca. Policia: S’kishim njoftim

16/12/2015 10:50

Një person i ndaluar në Francë dhe që po deportohej, i ka ikur Policisë shqiptare nga duart në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Gjithçka duket se ka qenë e planifikuar, sepse në dalje, atë e prisnin edhe dy bashkëpunëtorë, që i kanë siguruar transportin.

Ndërkohë, Policia arrestoi në flagrancë për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit, e kryer në bashkëpunim” shtetasit: Murat Hysa, 50 vjeç, lindur në Karicë, Burrel; dhe Ylber Ndoi, 29 vjeç, lindur në Mat, Burrel.

Arrestimi i tyre u bë pasi dje, rreth orës 14:00, shtetasi Murat Hysa, në bashkëpunim me shtetasin Ylber Ndoi kanë ndihmuar në pritjen dhe transportimin e shtetasit Arnolt Canametit, 20 vjeç, lindur dhe banues në Burrel, i shpallur në kërkim për veprat penale “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe të zjarrit”, “shkatërrim prone” dhe “prishje e qetësisë publike”.

Shtetasi Arnolt Canameti është kthyer në kategorinë “i deportuar” nga autoritetet policore franceze në Aeroportin “Nënë Tereza”. Në njoftimin e Policisë thuhet se, autoritetet shqiptare policore nuk kanë pasur dijeni paraprake për kthimin e tij me këtë avion.

Gjatë shoqërimit të të deportuarve nga avioni, në drejtim të godinës së përpunimimit të shtetasve, pikërisht kur ka zbritur nga mjeti transportues, duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së shërbimeve të Policisë, Canameti ka mundur të largohet në drejtim të daljes nga rrethimi i Aeroportit, ku është pritur dhe shoqëruar nga Hysa dhe Ndoi.

Personi është zhdukur, ndërsa policia ka nisur hetimin.

Top Channel