Veliaj: Tregu i gjësë së gjallë në fshat, jo më gjela në trotuare

15/12/2015 00:00

Në prag të festave të fundvitit, pazari i gjësë së gjallë do të zhvendosen në zonën e Vishnjës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se nuk do të lejohet që të tregtohet gjëja e gjallë në tregjet brenda kryeqytetit.

“Ne kemi organizuar një treg të gjësë së gjallë në një zonë që në fakt rrit gjelat më të mirë të detit në Shqipëri, sipas dhe vlerësimeve të Universitetit Bujqësor. Është zona e Baldushkut. Kjo është arsyeja që duke filluar nga kjo fundjavë ne do të kemi tregun e gjësë së gjallë në Vishnjë, në një zonë rurale nga Tirana, për të nxjerrë njerëzit nga Tirana, ku shumica nuk kanë pasur mundësi të shijojnë atë bukuri. Po sigurisht për të ofruar një sistem higjenik ku inspektorët tanë, ku ka një vend parkimi, ku çdo gjë mund të bëhet konform rregullave të higjienës pa shkaktuar një kaos dhe pa ndotur Tiranën”, tha Veliaj.

Veliaj tha se është shumë e rëndësishme që të krijohen hapësira për fuqizimin e produkteve të cilat prodhohen në qarkun e Tiranës.

Gjatë takimit që Veliaj ka zhvilluar me ekspertë të universitetit Bujqësor, tha se në Tiranë numërohen rreth 10 mijë qen rrugësh të cilët mund të vaksinohen nga veterinerët e këtij universiteti.

“Qentë e rrugës në Tiranë. Do të thotë që na duhet një zgjidhje që është humane dhe e qëndrueshme. Zgjidhja që disa qytetarë bëjnë duke dhunuar kafshët e rrugës, nuk është zgjidhje e qëndrueshme dhe as humane. Zgjidhja që kemi propozuar me universitetin bujqësor, ku klinika e veterinarisë bashkëpunon me klinikat që bashkia do të hapë shumë shpejt, duke zgjidhur këtë situatë duke bërë sterilizimin dhe vaksinimin është me një fitim reciprok për të dyja palët”, tha kreu i bashkisë së Tiranës.

Top Channel