Rrezikohet jeta e 35 nxënësve, shkolla në fshatin Plan i Bardhë në rrënim

15/12/2015 00:00

Ndërtesë një katëshe e mbuluar me eternit dhe që i ngjan një stalle të vjetër, në të vërtetë ështe shkolla fillore e fshatit Plan i Bardhë në bashkinë Klos. Në këtë ndërtesë të rrënuar, çdo ditë shkojnë 35 fëmijë që bëjnë mësim.

Përveç të ftohtit të dimrit, mungesës së kushteve, fëmijët duhet të qëndrojnë edhe më rrezikun e shembjes. Muret e kësaj ndërtese kanë nisur të lëvizin nga vendi dhe është vetëm çështje kohe shembja e plotë.

Gjatë verës shkolla bëhet e rrezikshme nga materiali kimikisht i ndaluar me të cilin është mbuluar, ndërsa gjatë dimrit nga shirat por edhe dëbora. Megjithatë fëmijët e frekuentojnë rregullisht shkollën e tyre.

Mësuesit dhe prindërit të shqetësuar për gjendjen thonë se vazhdimisht u është premtuar një ndërtesë me kushte më të sigurta për të bërë mësim, por fëmijët vazhdojnë të qëndrojnë në këto ambiente të rrezikshme. Premtimet bëhen prej 10 vjetësh, dhe asnjëherë nuk janë realizuar.

Top Channel