
Ish presidenti i Hondurasit, Rafael Kajehas ekstradohet në SHBA ku do të gjykohet në lidhje me një përfshirje të tij në skandalin e korrupsionit të FIFA.
Ish kreu i këtij shteti, akuzohet për marrje rryshfetesh për marketingun dhe shpërndarjen e të drejtave televizive së bashku me 15 zyrtarë të tjerë të lartë të Federatës Ndërkombëtare të futbollit. Mësohet se ishte pikërisht avokati mbrojtës i Kajehas, Tito Hernandez ai që e këshilloi atë që të pranonte kalimin për në SHBA.
“Të gjithë së bashku vendosëm që Kajehas të udhëtojë drejt SHBA. Rafael Kajehas nuk u shoqërua nga asnjë prej autoriteteve të Hondurasit apo SHBA. Ai po shkon vullnetarisht në gjykatën amerikane”, ka thënë avokati.
Rafael Kajehas, që ishte në postin e presidentit të Hondurasit në periudhën 1990-1994, deklaroi se nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me akuzat e ardhura në drejtim të tij dhe se është gati të mbrojë veten. Në fillim të këtij muaji, qeveria e Hondurasit bëri të ditur se, SHBA kishin bërë një kërkesë formale për ekstradimin e Kajehas.
Top Channel