Kadastra derë më derë në Himarë, Finiq dhe Leskovik, rreth 1500 banesa të evidentuara
Në Shushicë të Vlorës, rreth 200 pensionistë dhe invalidë kanë që në dhjetor të 2014 pa marrë atë që u takon ligjërisht; pensionin e këtij muaji.
Arsyeja se përse nuk u është derdhur pensioni i dhjetorit të 2014 është aq banale saqë vetëm në Shqipëri mund të ndodhë.
“Fiks Fare” denoncoi këtë të hënë rastin e pazakontë të pensionistëve të Shushicës. Gazetarja e Fiksit udhëtoi në Risili, rreth 5 kilometra larg qytetit të Vlorës pas denoncimit të mbërritur në zyrat e emisionit, ku një pensionist jepte arsyet se përse nuk u kalohej pagesa që u takon.
Pensionistët thonë se në dhjetor të një viti më parë, personi që shpërndante pensionet në postë u arrestua për abuzime me paratë e energjisë dhe për këtë arsye pensionistëve të 3 fshatrave nuk u kaloi pensioni për muajin dhjetor.
Pensionistët thonë se janë ankuar tek drejtori i postës, i cili fillimisht u kishte thënë se duhej të prisnin sa të mbaronte hetimi. Por hetimi mbaroi në muajin maj dhe kur pensionistët dhe invalidët u paraqitën për të marrë pagesat përkatëse, drejtori u nxjerr një tjetër arsye.
“Pastaj na tha që duhet të mbarojë gjykimi përfundimtar”, thonë pensionistët.
Ata deklarojnë se janë ankuar edhe tek Sigurimet Shoqërore.
“Na thonë që problemin e kemi me postën, ne ua kemi kaluar lekët. Nuk keni punë me ne”, thonë pensionistët.
Top Channel