Prindërit, si mund t’u tregojnë fëmijëve për vështirësitë e jetës

14/12/2015 00:00

Prindërit shpesh pyesin veten: Mos po e llastoj shumë fëmijën tim? Si duhet ta mësoj se jeta nuk është vetëm fushë me lule, por ka edhe vështirësi.

Miranda dhe djali i saj Rei, 10 vjeç, angazhohen shpesh në vepra bamirësie, veçanërisht janë të ndjeshëm në prag festash. Sot ata shkuan tek shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë.

“U ndjeva shumë mirë, pasi i dhurova një buzëqeshje që më kishte marrë malli t’ja shihja njerëzve në nevojë”, thotë Rei pasi doli nga takimi me fëmijët e tjerë.

Të zhytur në lojërat, librat, dhomat e rehatshme, jeta e qetë që bëjnë, fëmijët duket sikur janë indiferentë se çfarë ndodh me të tjerët, por Rei nuk mendon kështu.

“Të gjithë kanë nevojat e veta. Të gjithë duhet të kenë të drejtat e veta. Ështe në të drejtat e fëmijëve, të cilat i kemi mundësuar edhe në shkollë. Fëmijët kanë të drejtë të hanë, të kenë familje, të mbrohen dhe të kenë shoqëri. Këto duhet t’i ketë çdo fëmijë dhe askush nuk ka të drejtë t’ja ndalojë”, thotë Rei.

A i mungon gjë djalit 10-vjeçar?

“Tani që erdha këtu, jam i sigurt që nuk më mungon asnjë gjë. Tani unë e kuptova sa vlera kishin gjërat që unë kam”.

Po si ndihet Miranda teksa sheh te birin?

“Ne duhet t’i mësojmë se këtë nuk duhet të jetojnë vetëm në një ishull të izoluar dhe pa njerëz të tjerë rrotull. Këta duhet të mësojnë që ka edhe njerëz me probleme ne jëtë dhe unë dua që të jenë të vëmendshëm dhe t’i trajtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, shprehet Miranda.

“Unë kam ardhur edhe një herë gjatë vitit të kaluar këtu. Kishte edhe fëmijë të vegjël në kopësht dhe ishte njëri që më përqafoi dhe nuk më lëshonte. Aty unë u ndjeva shumë keq”, thotë Rei.

Por përse erdhi edhe një vit më pas në shtëpinë e fëmijës?

“Kur shikoj fëmijët në nevojë, e vendos veten në pozitën dhe dhimbjen e tij dhe më duket shumë e tmerrshme. Erdha vetëm me vullnetin tim, pasi doja t’i takoja këtë fëmijë për herë të dytë”.

Top Channel