NBA, fitorja e pestë radhazi për Oklahoma City Thunder

14/12/2015 11:00

Oklahoma City Thunder shënon një tjetër fitore në NBA, pasi mposhti Utah Jazz 104-98, për ta çuar në 5 serinë e sukseseve radhazi.

Megjithatë, kjo nuk ishte një ndeshje e lehtë për Oklahomën, që e siguroi fitoren vetëm në kohën shtesë. Utah Jazz zhvilloi një pjesë të parë fantastike, duke krijuar edhe një diferencë prej 16 pikësh me Oklahomën, por kjo nuk mjaftoi. Në pjesën e dytë, Thunder u transformua krejtësisht falë edhe Kevin Durant, duke përmbysur këtë disavantazh për ta barazauar ndeshjen 96-96 dhe për ta çuar atë në kohën shtesë, ku siguroi edhe suksesin.

Fitore me përmbysje shënoi edhe Miami Heat ndaj Memphis Grizzlies, ku rezultati ishte 100-97. Memphis ishte në gjendje që të shkëputej nga Heat deri në 16 pikë diferencë, por skuadra nga Florida, falë një paraqitjeje shumë të mirë të Dwayne Wade, në çastet e fundit shënoi një rezultat të pjessshëm 11-0 për ta kthyer sfidën në favorin e saj. Wade e mbylli takimin me 14 pikë, por shënuesi më i mirë për Miami Heat ishte Chris Bosh, me 22.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Minnesota Timberwolves humbi ndaj Phoenix Suns 101-108, ndërsa Toronto Raptors fitoi me Philadelphia 76ers me rezultatin 96-76.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA