Devoll, sekuestrohen 30 kg kanabis, arrestohen 3 persona

14/12/2015 09:20

Policia ka sekuestruar në Devoll rreth 30 kilogramë kanabis dhe ka arrestuar në flagrancë 3 persona, në operacionin e koduar “Tresteniku”.

Në pranga janë vënë 36-vjeçari Julian Bylyku, 43-vjeçari Nikos (Astrit) Medolli dhe 44-vjeçari Gramoz Vila. Arrestimi i tyre u bë pasi, në vendin e quajtur  “Varrezat e Vishocicës”, në Devoll, shtetasit Julian Bylyku, i cili drejtonte një karrocë (që tërhiqej nga kafshë pune), të cilën e kishte ngarkuar me bazë ushqimore për bagëti, poshtë bazës ushqimore, iu gjetën të fshehura 2 çanta me 30 kg kanabis në total.

Më pas, në qytetin e Bilishtit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe i shtetasve Gramos Vila dhe Nikos Medolli, të cilët me automjetin tip “Opel Astra”, me targa AA 272 GR, po prisnin që të merrnin sasinë e kësaj lënde narkotike.

Top Channel