Tërhiqet PD, vetëm deputetët e Tiranës do të braktisin komisionet

13/12/2015 19:30

Kur foli të shtunën në mbrëmje me gazetarët për të komunikuar zyrtarisht protestën e 17 dhjetorit para Kuvendit të Shqipërisë, kreu i opozitës nuk tha një detaj të rëndësishëm. Deri të enjten, deputetët e Partisë Demokratike nuk do jenë në Parlament. Ata janë urdhëruar të mos marrin pjesë në komisionet parlamentare, por të ndihmojnë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike për masivitetin e protestës së të enjtes.

Por më pas, në një reagim informal, Partia Demokratike tha se ka patur një keqkuptim me mesazhin e kryetarit Basha, i cili u drejtohej vetëm deputetëve të Tiranës.

Megjithatë, Top Channel, disponon të dy mesazhet që u janë shpërndarë deputetëve që banojnë në Tiranë, pavarësisht se në cilat zona janë zgjedhur.

I pari, i mbrëmjes së të shtunës thotë se asnjë deputet nuk duhet të marrë pjesë në komisione. I dyti është shpërndarë rreth 3 orë pas transmetimit të lajmit në Top Channel.

Mesazhi i dytë i orës 18:00 të së dielës, thotë se në mbledhje mund të marrin pjesë edhe deputetë të Tiranës që janë kryetarë apo nënkryetarë komisionesh.

Në axhendën e komisioneve parlamentare janë për t’u shqyrtuar disa projektligje, përfshirë edhe ai i buxhetit, për kundërshtimin e të cilit opozita po thërret qytetarët në protestë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA