Dy gola të Bakajt i japin fitoren Tiranës në Vlorë

13/12/2015 00:00

Tirana arriti të marrë pikët e plota në transfertën e javës së 16 të Superiores, në ndeshjen ndaj Flamurtarit, duke fituar me një dygolësh të realizuar nga Bakaj.

Bardheblutë e nisëm mirë takimin, duke zhbllokuar shifrat në minutën e 22-të. Bakaj shfrytëzoi pasimin e Fukuit dhe konkretizoi suprenmacinë e Tiranës.

Flamurtari u zgjua vetëm pas disavantazhit, duke regjistruar tentativa të një pas njëshme në kërkim të barazimit. Pas Lushtakut që nuk arriti të gjente portën , probleme me shënjestrën kishte edhe Ardit Shehaj.

Por, Flamurtari u venit shpejt pas minutave të vrullshme, me Tiranën që u rikthye e rrezikshme. Fillimisht Gilman Lika shpërdoroi një korridor të shkëlqyer të Bakajt. Përpara pushimit mes pjesëve ishte sërish Bakaj që realizoi. Sulmuesi bardheblu përfitoi nga gabimi i Zeqirajt dhe e dërgoi tipin në rrjetë, duke e çuar ndeshjen në 2-0.

Në pjesën e dytë, pavarësisht rasteve për shënim si nga vendasit ashtu edhe nga lojtarët e Tiranës, rezultati mbeti i pandryshuar.

Flamurtari regjistri humbjen e pestë radhazi, ku në 7 ndeshjet e fundit ka arritur të marrë vetëm një pikë, duke u mund në 6 takime, ndërsa mori një barazim pa gola ndaj Partizanit.

Tirana në anën tjetër kthehet te fitorja pas katër javëve. Bardheblutë mbeten në vendin e pestë, por me 25 pikë i afrohen luftës për një vend në kupat e Europës.

Top Channel