Bashkia Elbasan, çerdhe falas për fëmijët e grave të dhunuara

12/12/2015 00:00

Çerdhe falas për fëmijët, nënat e të cilëve janë përballur me probleme të dhunës në familje. Këtë angazhim e ka marrë Bashkia Elbasan në përmbyllje të fushatës 16 ditore kundër dhunës me bazë gjinore.

Përfaqësuesja e Forumit të Gruas Dhoksa Gjoka tha se pas një takimi që pati me Kryetarin e Bashkisë mori gjithashtu angazhimin që t’i ndihmojnë këto gra për t’u strehuar.

“Premtimin që bëri kryetari që do tu paguajë çerdhen falas fëmijëve të grave me probleme dhune për shkak të pamundësisë së tyre për ti dërguar fëmijët në çerdhe. Kryetari i bashkisë shfaqi gatishmërinë që të ndihmojë këto gra përsa i përket strehimit, duke kontribuar në banesa sociale apo një projekt që po aplikon bashkia për të paguar gjysmën e qirasë për këtë kategori grash”, thotë Dhoksa Gjoka, Forumi i Gruas Elbasan.

Gjatë këtij viti 250 gra kanë marrë ndihmë psikosociale dhe ligjore pranë Forumit të Gruas, ndërsa 32 gra janë akomoduar në qendrën e emergjencave.

Top Channel