Mourinho: Kjo që po ndodh te Chelsea nuk është normale

11/12/2015 00:00

Dorëzimi nuk është kurrsesi pjesë e “Special One”. Por një hije dorëheqjeje duket se ekziston në fjalët e tij.

Jose Mourinho shfaqet fillimisht me plot besim, kur thotë se “ndoshta e kemi ende mundësinë që të ëndërrojmë një fund madhështor, duke kapur vendin e katërt. Për sa kohë matematika na e lejon, duhet ta tentojmë”.

Megjithatë, në momentin që nis të pranojë vështirësitë që po kalon Chelsea i tij, gjithsesi ngre supet. “Përpara se të humbisnim 3 pikët me Bournemouth, isha i bindur për vendin e katërt dhe se do të kishim një periudhë dhjetori madhështore. Më duhet të jem i ndershëm dhe të them se humbja e fundit ishte diçka, të cilën nuk do ta besoja kurrë si të mundshme. Realiteti është që ka klube të tjera që po luajnë shumë mirë, ndërkohë që disa të tjerë nuk po luajnë në mundësitë e tyre reale. Sot nuk është më e mundur të fitosh 3, 4, 5 ose 10 ndeshje radhazi”.

Humbja e së shtunës ka rizgjuar gjithashtu zërat për një shkarkim të mundshëm të tij, por Mourinho mbetet ende i qetë. “Kam ende 3 vite e gjysmë kontratë dhe mendoj se do t’i shkoj deri në fund. Më pas do të drejtoj një tjetër klub, edhe pse ka skuadra ku nuk do të shkoja kurrë. Rezultatet e dobëta të këtij sezoni nuk janë normale, por ekziston mundësia për çdo trajner që të bëjë punën e tij dhe të përfundojë atë që ka nisur. Ajo që nuk është normale, është pikërisht ajo që po ndodh tani”.

Dhe pavarësisht se mbetet ende një idhull në “Stamford Bridge”, duket se diçka i ka “rrëshqitur” nga duart te “blutë” e Londrës.

Top Channel