Simeone nuk kërkon alibi: Penalltia ndaj Griezmann? Ndonjëherë edhe arbitrat gabojnë… Ekipet kombëtare, plot 24 që janë kualifikuar për në fazën finale të kampionatit europian “Francë 2016”, mes të cilave për herë të parë edhe Shqipëria e Giovanni De Biasit, të shtunën më në fund do të mësojnë kundërshtarët e tyre në këtë Europian.
Shorti i Parisit do të shënojë dhe fillimin e kompeticionit, që zhvillohet mes 24 skuadrash, e para kjo që nga krijimi i kësaj ngjarjeje sportive. Për shkak të koefiçentit të ulët, kuqezinjtë tanë do të jenë në vazon e katërt, së bashku me Turqinë, Republikën e Irlandës, Islandën, Uellsin dhe Irlandën e Veriut.
Gjatë momentit të hedhjes së shortit, në Pallatin e Kongreseve në Paris, Shqipëria do të përfaqësohet nga presidenti Armando Duka, trajneri De Biasi dhe menaxheri i kombëtares, Alban Bushi.
Në vazon e parë, Francës – që është edhe vendi organizator, – i bashkohen Spanja, Gjermania, Anglia, Belgjika dhe Portugalia.
Në vazon e dytë janë të tjerë emra të mëdhenj të futbollit europian, si Italia, Zvicra, Rusia, Austria, Kroacia dhe Ukraina.
Edhe vazoja e tretë nuk mbetet prapa, përsa i përket peshës që kanë këto kombëtare në Europë. Një nga kundërshtarët e Shqipërisë në “Francë 2016” mund të jetë edhe Suedia, apo Republika Çeke, Polonia, Rumania, Sllovakia e Hungaria.
Në shortin e së shtunës, që do të vijë për shqiptarët drejtpërdrejt në Top Channel, duke filluar nga ora 17:30, 24 përfaqësueset pjesëmarrëse do të ndahen në 6 grupe, me nga 4 skuadra. Sipas rregullit të ri të UEFA-s për këtë kompeticion, dy të parat e çdo grupi kualifikohen drejtpërdrejt në fazën tjetër, ndërkohë që një mundësi të mirë për të vazhduar më tej në “Francë 2016” do ta kenë edhe 4 skuadrat më të mira ndër të tretat e të gjitha grupeve.
Një skemë kjo, që mban të hapur deri në ndeshjen e fundit në grup shpresat e skuadrave të vogla, përfshi edhe kuqezinjtë tanë, për të qëndruar sa më gjatë në Europianin e parë ku marrim pjesë.
Top Channel