Pas publikimit të një raporti nga “Global Financial Integrity”, sipas të cilit gjatë 9 viteve nga Shqipëria kanë qarkulluar mbi 1.2 miliardë dollarë të dyshimtë, në një intervistë me “Skype” për Top Channel, Presidenti i këtij institucioni, Raymond Baker shpjegon se si i ka gjetur këto të dhëna dhe çfarë tregojnë ato.
Raymond Baker presidenti i “Global Financial Integrity” thotë se të dhënat që ata përdorin vijnë nga raporte zyrtare të publikuara nga vetë qeveritë, Banka Botërore, vendet e BE-së apo nga Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij shumica e të dhënave dalin nga bilancet e pagesave dhe të dhënat e tregtisë të hartuara nga qeveritë.
“Ne shohim për boshllëqe në të dhënat, ne shohim rastet kur ajo që raportohet në një vend nuk është e njëjtë me një vend tjetër. Për shembull, nëse Shqipëria raporton se ka bërë 50 milionë dollarë eksporte në drejtim të Gjermanisë dhe Gjermania nga ana tjetër raporton se ka 200 mln dollarë importe me Shqipërinë. Diferencat mes këtyre dy deklarimeve, janë të dhënat që ne shikojmë. Ne e marrim si të mirëqenë se të gjitha ato boshllëqe në të dhëna, janë transaksione të paregjistruara dhe pothuajse gjithnjë këto transaksione të paregjistruara, kanë një pjesë të së paligjshmes në to”, shprehet Baker.
I pyetur se cilat janë burimet e financimeve të paligjshme, Baker ka shpjeguar:
“Mund të vij nga shumë burime. Ne kemi identifikuar 3 elementë të financimeve të paligjshme, korrupsioni, krimi dhe tregtia. Në ketë raport qe po flasim, të dhënat e transaksioneve vijnë nga burime tregtare, që nënkupton evazion fiskal, ku sipërmarrjet janë të përfshira”, thotë Baker.
Baker shpjegon se në raportin e publikuar nga “Global Financial Integrity” nuk janë të përfshira transaksionet e trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe të gjithë veprimtarive të tjera kriminale, pasi në rast të kundërt shifrat do ishin shumë herë më të larta.
Sipas raportit, në vitin 2013 nga Shqipëria kishte rreth 18 milionë dollarë transaskione të dyshimta. Që prej vitit 2014 këto transaksione, që siç thotë Baker, mund të vijnë nga evazioni fiskal, për Shqipërinë kanë kapur vlerën e 1.2 miliardë dollarëve.
Top Channel