Tregtarët: Po rrezikohet tregu. Koncesionari po tallet me shtetin

10/12/2015 00:00

Importuesit parlajmërojnë se, nëse nuk do të zgjidhet kriza e krijuar nga koncesionari i markimit, qysh nesër tregu mund të përballet me mungesën e naftës dhe benzinës.

“Të gjitha autobotet kanë mbetur të ngarkuara në ambientet e magazinave të lira, ku janë depozitat e karburantit. Tregu po fillon të mbarojë furnizimin me karburant dhe qysh nesër mund të përballemi me mungesën e tij në treg. Kjo është situata. Dikush mund të ketë furnizim sa për një ditë, dikush për dy apo për 5 ditë. Çdo ditë do të fillojnë pika karburanti, që do të mbesin pa furnizime, në qoftë se situata nuk zhbllokohet”, tha Luigj Aliaj.

Luigj Aliaj thotë se shoqata është në kontakt me autoritetet, të cilat deri më tani nuk kanë dhënë ende zgjidhje për këtë krizë.

“Ne kemi pasur kontakte që prej mëngjesit, por autoritetet, siç ju thashë, janë në praktikë ngërçi. Nuk mund të ketë një autoritet që të japë urdhër, që karburanti të dalë në treg pa u markuar, sepse i pengon ligji. Pra, ose duhet të ndërhyhet urgjent e të ndryshohet ligji, ose duhet t’i gjunjëzohemi të gjithë markuesit dhe t’i plotësojmë kërkesat e tij. Nuk ka zgjidhje tjetër, sepse me urdhër nuk bëhet kjo”, tha më tej eksperti Aliaj.

Sipas Aliajt, bllokimi që koncesionari po i bën tregut është një tallje, jo vetëm me shoqëritë e tregtimit të karburanteve, por edhe me shtetin shqiptar.

“Ky koncesionar, që ka marrë një kontratë, ka investuar dy fugonë dhe 10 epruveta, ka sjellë edhe 5-6 kg markues, tallet me ne dhe me shtetin shqiptar. Kjo është një situatë e turpshme për ne”, tha Aliaj.

Tregtarët e karburanteve e kanë kundërshtuar fort koncesionin e markimit, që në momentin e shpalljes së tij nga qeveria e kaluar, në vitin 2011.

“Realisht, ky është një koncesion që me VKM vendos një taksë kombëtare, e cila duhej të vendosej me ligj, pra edhe vet si taksë është antikushtetuese. Praktikisht, kështu siç është hartuar kontrata është e pazbatueshme dhe nuk përdoret në asnjë vend, ku funksionon ekonomia e lirë e tregut. Vetëm atje ku ka republika të korruptuara, që gjejnë një mënyrë për të vjedhur popullin e vet, përmes të tilla koncesionesh”, deklaroi Aliaj.

Top Channel