Sporti në Facebook, Mayweather-Pacquiao ngjarja kryesore

10/12/2015 00:00

Është fundi i vitit 2015 dhe ka ardhur koha të bëhen bilancet në të gjitha fushat ku sporti nuk bën përjashtim. Rrjeti social Facebook e ka ndërmarrë një gjë të tillë duke publikuar evenimentet dhe sportistët më të përmendur në të.

Padyshim sfida mes Pacquiaos dhe Mayweather e cilësuar si “sfida e shekullit” ishte ajo që pati ndikimin më të madh te komuniteti i Facebook që numëron 650 milionë persona aktivë në të në mbarë botën. Kjo ngjarje nëpërmjet hashtagut #MayPac gjeneroi 115 milionë postime apo komente nga 37 milionë persona.

Sukses të madh në Facebook shënoi edhe Kupa e Amerikës e zhvilluar nga 1 qershori deri në 4 korrik. Për këtë aktivitet ishin 309 milionë postime, komente dhe “like” nga 4.59 milionë persona.

Nuk mbeti pas finalja e 6 qershorit në Ligën e Kampioneve mes Barcelonës dhe Juventusit e fituar nga katalanasit 3-1. Në total ishin 76 milionë postime dhe veprime të tjera në Facebook të kryera nga 28 milionë persona.

Rekorde vendosi edhe finalja e madhe e NBA e zhvilluar në 6 sfida. 32 milionë persona dërguan 173 milionë mesazhe, duke e shndërruar këtë kampionat si ngjarjen më të suksesshme përsa i përket disiplinës së basketbollit.

Përsa u përket sportistëve më të përmendur në Facebook për vitin 2015, ai që kryeson është Floyd Mayweather i ndjekur nga Pacquiao. Podiumin e sportistëve më të përmendur e plotësoi Ronda Rousey duke lënë pas 2 yjet e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo të pozicionuar respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Top Channel