Skënderbeu, Olayinka kalon te Gent në Belgjikë

10/12/2015 00:00

Ekipi belg i Gentit pritet të përforcohet në merkaton e janarit me sulmuesin nigerian, Peter Olayinka, të kampionëve të Shqipërisë Skënderbeut, teksa gjatë së martës ka qenë në rolin e spektatorit në ndeshjen e Kupës së Belgjikës, që kampionët belgë zhvilluan me Zulte Waregem.

Transferimi i Olayinkas në Belgjikë është i përfunduar, edhe pse merkatoja e janarit nuk është hapur ende. Lajmi konfirmohet nga “Het Laatste Nieuws”, ndërkohë që “Supersport” ka mundur të sigurojë edhe momentin e hedhjes së firmës nga nigeriani për ekipin e ri ku do të luajë.

Sulmuesi 20-vjeçar i Skënderbeut mendohet të ketë kryer edhe vizitat mjekësore gjatë së mërkurës, ndërsa lojtari 1.88 m i gjatë mbahet mend për 7 gola të shënuar në 13 ndeshjet e luajtura për kampionët korçarë gjatë këtij sezoni. Skënderbeu ishte edhe pjesëmarrës në fazën e “play-off”-eve të Champions League, por pas eliminimit nga Dinamo e Zagrebit, skuadra u desh të luante në fazën e grupeve të Europa League

Ky pritet të jetë përforcimi i dytë për belgët e Gentit, pas Gustav Wikheim të marrë nga Stromsgodsets i Norvegjisë.

Vlera e transferimit të nigerianit në Belgjikë, sipas asaj që bën të ditur “Supersport”, pritet të ketë kapur shifrat e 1,1 mln eurove, duke hyrë në histori si lojtari i shitur më shtrenjë nga kampionati shqiptar. Nigeriani ka debutuar në Kategorinë Superiore në radhët e Bylisit të Ballshit.

Top Channel