Franca pezullon Benzemanë, nuk e grumbullon për Euro 2016

10/12/2015 00:00

Sulmuesi i Realit të Madridit dhe kombëtares së “gjelave” të Francës, i përfshirë në një tentativë zhvatjeje ndaj kolegut të kombëtares, Mathieu Valbuena, për shkak të një videoje seksuale, është përjashtuar përfundimisht nga “blutë”.

Lajmin e ka bërë publik presidenti i Federatës franceze të Futbollit, Noel Le Graet, gjatë një konference për shtyp të mbajtur këtë të enjte. “Nuk mund të grumbullohet më, – ka thënë numri 1 i federatës. – E vetmja gjë që mund të konfirmoj është se, ky vendim është pranuar edhe nga trajneri i kombëtares, Didier Deschamps”.

Le Graet ka shtuar më tej se ndëshkimi ndaj lojtarit mund të zgjasë deri në fund të Europianit 2016. “Bazuar mbi zhvillimet e hetimeve, mund të zgjasë deri në mars, mbase deri në qershor – ka vijuar më tej presidenti. – Benzema dhe Valbuena janë dy lojtarë të rritur, duhet të kenë një sjellje për t’u mbajtur shembull. Nëse jam i zemëruar me Benzemanë? Jo, përkundrazi jam i kënaqur. Më dhemb zemra, por kam marrë një vendim që duhej ta merrja gjithsesi. Edhe Deschamps ka mbetur i shokuar nga kjo situatë”.

Top Channel