F1, Alonso: Fokusi është te skuadrat e vogla

10/12/2015 14:40

Fernando Alonso nuk i kursen kritikat e tij kundrejt drejtuesve të Formulës 1. Piloti spanjoll i McLaren deklaroi se së fundmi vëmendja më e madhe në këtë kampionat është e përqendruar te mbijetesa e skuadrave të vogla, duke parë edhe masat që po ndërmerren për të reduktuar kostot.

Me rregullat e reja, skuadrat do të kryejnë vetëm 2 sesione testesh parasezonale që do të jenë 2 ditore dhe do të duhet të përshkojnë jo më shumë se 100 km. Alonso deklaroi se ajo që duhet të bëjnë drejtuesit e Formulës 1 është që t’u japin më shumë liri skuadrave që të punojnë me makinat e tyre.

“Nëse do të kisha mundësi të përpiloja rregullat për vitin 2017, do të lejoja përdorimin e motorëve më të mëdhenj dhe me fuqi më të madhe. Do t’u lejoja skuadrave më shumë liri për zhvillimin e makinës së tyre dhe do të krijoja mundësinë për kryerjen e më shumë testeve, ashtu sikurse 10 vjet më parë. Nëse disa skuadra nuk arrijnë dot të përballojnë këto teste, ky është problemi i tyre. Kjo është natyra e këtij sporti. Është si të thuash Reali i Madridit mund të blejë futbollistë e disa skuadra të tjera jo. Reali nuk mund të ndjejë keqardhje për to. Në Formulën 1 ka lindur nevoja për të mbrojtur skuadrat e vogla”, tha spanjolli.

Top Channel