Bllokohet tregu i karburanteve, koncesionari i ngjyrimit ndërpret punën pa paralajmërim

10/12/2015 00:00

Kompania, që ka me koncesion shënjimin e karburanteve, ka ndërprerë në mënyrë të beftë aktivitetin, duke zhytur në një krizë të paprecedentë tregun e naftës në vend. Këtë të enjte, kompania “GFI” ka vendosur të mos i nxjerrë në punë punonjësit, që bëjnë markimin e karburanteve në port, duke paralizuar tregtimin e naftës dhe benzinës.

Por cili është thelbi i konfliktit? Në vitin 2011, qeveria shqiptare ia dha monopolin e markimit të karburanteve shoqërisë “GFI”. Në marrëveshje, përveç naftës së përpunuar është vendosur detyrimi, që të markohet edhe nafta bruto, një praktikë kjo e paprecedentë. Kjo, edhe për një arsye tjetër. Substanca, përmes së cilës kryhet markimi, nuk funksionon në naftën bruto.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nafta bruto, që eksportohet, nëse do të markohej do t’i siguronte koncesionarit rreth 10 milionë euro të ardhura shtesë në vit. Por, për shkak se edhe teknologjikisht nuk mund ta kryejë dot shërbimin, përgjatë kësaj kohe, koncesionari i markimit nuk ka mundur të arkëtojë asnjë lek nga nafta bruto.

Përballë kësaj situate, kompania koncesionare ka vendosur të ndërpresë aktivitetin, duke i kërkuar këto parà nga shteti. Por çfarë efektesh ka kjo për tregun? Në bazë të një vendimi, Këshilli i Ministrave ka sanksionuar se nuk mund të zhdoganohet asnjë litër karburant, pa u shlyer më parë pagesa për markimin. Meqë kompania nuk e kryen më shërbimin, tregtarët që importojnë karburant nuk mund të zhdoganojnë asnjë litër naftë apo benzinë, duke e çuar tregun në një krizë të paprecedentë.

Burime nga doganat dhe Shoqata e Tregtarëve të Karburanteve i thanë Top Channel se, ky ngërç mund të zgjidhet vetëm në dy rrugë: ose që qeveria të ndryshojë vendimin, që nuk lejon zhdoganimin e karburanteve pa paguar markimin, ose të arrijë marrëveshjen me kompaninë koncesionare.

Paralizimi i tregut të karburanteve tregon edhe një herë, sesi koncesionet e dyshimta dhe të përfolura si korruptive mund të shkaktojnë dëmë të jashtëzakonshme për konsumatorët dhe ekonominë kombëtare.

Top Channel