Tribuna dhe bunkeri që zvogëlon opozitën

09/12/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbushën dje me qytetarë të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit dhe me militantë të opozitës.

Ishte një protestë, e cila rikthen edhe një herë motin e protestave opozitare në vend dhe që, sipas gjasave, tashmë parathotë ditë të presionit dhe aksioneve opozitariste në vend. Kjo është strategjia e re e opozitës që po luhet prej forcës kryesore të së djathtës zyrtare në vend. Në mbështetje, përmes kontekstit dhe simbolikës, për këtë protestë ishte edhe data e përkujtimit të Lëvizjes së Dhjetorit, në 25-vjetorin e saj. Madje, duhet thënë se kjo datë përbën një arsye më madhore që shoqëria shqiptare dhe partitizmi në këtë vend të rishqyrtojnë historinë politike dhe atë çfarë gjendet si realitet dhe arritje apo qoftë edhe si stanjacion, në të ashtuquajturën demokraci shqiptare. Panorama është e mbushur me trishtim dhe gjendje zhgënjyese. Demokracia në brendinë dhe format e saj paraqitet si monstër, e shembur në cilësi dhe funksionim, e rrënuar në sjellje dhe shfaqje, e katandisur plotësisht në demagogji dhe e mbajtur peng dhe e kapur në kthetrat e rotacionistëve të qeverisjes.

Qeverisja e së majtës po përballet me një sulm të përditshëm verbal dhe shfryrjeje të qytetarëve dhe më së shumti të anonimatëve dhe të shfaqurve si të papunë në rrjetet sociale. Kritika nga opozitarët, nga oponentët dhe nga të vetët. Një marrëdhënie me mavijosje pakënaqësie dhe përpjekje të pamjaftueshme për të tjetërsuar tablonë apo perceptimin. Të gjitha këto së bashku janë argument i arsyes për masën e madhe të qytetarëve që vërshoi në protestë. Madje, duhet thënë se kjo masë e pazakontë edhe më e madhe mund të jetë në ditët e ardhme, nëse e majta në qeverisje nuk reflekton ndaj shtrëngesës së madhe ekonomike dhe përkeqësimit të gjendjes sociale në shtresat e varfra dhe sidomos atë të mesme të vendit.

Por të gjitha arsyet për vërshimin e madh qytetar në protestën e djeshme të 8 dhjetorit në Tiranë, duket se u eklipsuan nga dy objekte, në të cilat protagonizmin dhe përgjegjësinë e mbart udhëheqësia mike e opozitës. Së pari, tribuna dhe një pjesë e fjalimeve, ndanë të cilave rikonfirmuan edhe një herë kredon e udhëheqësit që vijon të kapet me thonj dhe rrënjë në historinë aktuale të PD-së, janë një goditje mbi besimin e ndryshimit të madh apo të premtuar për këtë vend. Politikani Sali Berisha, jo vetëm që e shpërfill dialektikën, por duke vijuar të flasë më shumë me prezencë dhe kohëzgjatje pa qenë nevoja të konsumojë edhe fjalën, ka goditur dje në protestën e madhe shpresën e ndryshimit dialektik të opozitarizmit të këtij vendi. Në atë tribunë u vu vula e mosndryshimit të opozitës. Një gjuhë e vjetër oratorike dhe fjalime që nuk kanë asgjë nderuese për 8 Dhjetorin e shembjes së komunizmit. Antikomunizmi në Shqipëri është një hipokrizi në veprim për mbajtjen në stanjacion të këtij vendi prej kastës së tranzicionit. Kushdo që ushqen iluzion për të kundërtën, është vetëm pre e mendësisë populiste se ky vend mund të vijojë në rotacionin e vet absurd të tranzicionit postkomunist të 25 viteve të fundit.

Objekti i dytë që e eklipsoi vlerën e protestës qytetare ishte bunkeri simbolik, një vepër pa shumë fantazi e vendosur për simbolikë në oborrin apo sheshin e ri të papëruruar mes godinës së Ministrisë së Transporteve dhe Teatrit Kombëtar dhe ndërmjet Ministrisë së Brendshme. Ato imazhe të protestuesve, që në mënyrë donkishoteske luftonin për prishjen e bunkerit të paprishëm me mjete rrethanore dhe përmes flakës dhe tymit lanë shijen e një shëmbëllese vandale me episode të kohës së mbrapshtë e të përvojës vandaleske.

Protesta e djeshme nuk pati peshë dhe projeksion të çmuar aksioni dhe platforme opozitare. Një kërkesë absurde për qeveri teknike, që si koncept dhe mundësi duket se po ndëshkon kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Kërkesë kjo, e afishuar befas dhe që ende nuk dihet se prej kujt është ideuar dhe kë mund të ketë nun real. Do të ishte më dinjitoze që këmbëngulja e opozitës të vijojë te kërkesa për largimin e dy bashkëqeverisësve Rama-Meta dhe jo të dekonspirojë asimetrinë e vetë kërkesës apo të rimarrë për përdorim tezën e shumëkonsumuar të historikut Berisha për antikomunizmin përmes shprehjes “bij të etërve”. Antikomunizmi i demonstruar në mënyrë komuniste nuk është tezë e një shoqërie që synon dhe aspiron progresin e demokracisë. Kësi demagogjish vlejnë për kastat e vjetra dhe për udhëheqës, të cilët kanë kapur demokracinë dhe po e përdorin atë jo si sistem, por si demagogji. Për këtë arsye, tribuna e djeshme, fjalimet butaforike antikomuniste, bunkeri i goditur dhe përzhitur nga flakë të kota, tymi dhe gurët mbi muret e selisë së Kryeministrisë (duke qenë brendia kryesore e protestës së kryer dje), të gjitha së bashku, kanë kryer një akt zvogëlues të opozitës së vendit. Për të fituar një peshë të re specifike përfaqësimi dhe shprese, opozita duhet të ndryshojë kryekëput tribunën dhe të mos shpenzojë energji idiote për objekte dhe godina, të cilat kanë nevojë për tjetër veprim ndryshues. Opozita dje anashkaloi dy aksione madhore dhe jetike, për të cilat ky vend ka nevojë dhe vetë ajo mund të fitojë realisht ringritjen: dekriminalizimin e vetes dhe të politikës në përgjithësi dhe reformimin e drejtësisë së munguar në këtë vend. Këto dy nevoja madhore duket se në këtë gjendje, janë pamundësi e kësaj opozite. Dhe përderisa janë pamundësi, atëherë ajo do të tymosë qoftë edhe në protesta të mëdha funksionimin e vet si establishment i vjetër.

Gazeta “Shqip”

Top Channel