Rummenigge: Lewandowski ka kontratë me ne

09/12/2015 13:20

Bajerni i Mynihut reagon ndaj lajmit në lidhje me interesimin e Realit të Madridit për Robert Lewandowskin dhe këtë e bën nëpërmjet Presidentit të Këshillit të Drejtuesve të Klubit, Karl-Heinz Rummenigge. Ky i fundit, në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild“ ka deklaruar se sulmuesi polak do të respektojë kontratën që ka me skuadrën bavareze.

“Mund ta imagjinoj që Reali i Madridit është i interesuar për Lewandowskin, por futbollisti ka edhe 3 vjet e gjysmë kontratë me ne. Ndoshta ai mund të qëndrojë edhe për një kohë më të gjatë këtu”, tha Rummenigge, i cili shtoi se nuk ka folur me sulmuesin apo përfaqësuesit e tij për këtë çështje dhe se nuk ka arsye për ta bërë një gjë të tillë.

“Nuk kam diskutuar as me Lewandowskin e as me agjentin e tij. Nuk kam pasur arsye që ta bëj një gjë të tillë. Nuk ka asnjë problem për mua që agjenti i një futbollisti të skuadrës sonë të shkojë në stadiume të tjera”, tha Rummenigge.

Top Channel