Protesta e PD, 5 të arrestuar; procedim penal Bozdos dhe Ndregjonit

09/12/2015 00:00

Një ditë pas protestës së opozitës, që kulmoi me shkatërrimin e bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme, policia njoftoi arrestimin e 5 personave, të vënë nga prokuroria nën akuzën e shkatërrimit të pronës, si dhe fillimin e procedimit penal ndaj Eno Bozdos dhe Besim Ndregjonit.

Sipas policisë, Partia Demokrotike kishte kërkuar leje për zhvillimin e protestës, e cila më pas devijoi nga itinerari i paracaktuar, duke u përshkallëzuar në veprime të dhunshme, me dëmtim të hyrjes, fasadës dhe disa xhamave të objektit të Kryeministrisë; prishjen dhe shkatërrimin e objektit në ndërtim muzeal “Bunkeri”, i cili gjendet pranë godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme; si dhe thyerjen e xhamave te dritareve të Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës.

Sipas prokurorisë, bazuar në hetimet paraprake të policisë, u nis procedimi ndaj organizatorëve të tubimit, Eno Bozdo dhe Besim Ndregjoni. Bozdo, në cilësinë e sekretarit organizativ të Partisë Demokratike ka firmosur kërkesën drejtuar policisë për organizimin e protestës, ndërsa Ndregjoni, ish-i përndjekur politik, lëshoi thirrjen nga tirbuna e protestës që qytetarët të marshonin drejt bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme.

Pesë personat që ishin dhe protagonistët kryesorë të dëmtimit të bunkerit u arrestuan pasditen e së martës, ndërsa u shpallën në këkrim 2 të tjerë.

Po ashtu njoftohet se, nga ana e prokurorisë dhe policisë është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i provave materiale, sekuestrimi i pamjeve filmike dhe vazhdon puna hetimore për dokumentimin e plotë dhe vënien para drejtësisë të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani denoncoi nga komisariati numër 1 i Tiranës keqtrajtimin, sipas tij, të të ndaluarve nga protesta e djeshme. Vala e terrorit, tha Ristani, kërkon të trembë opozitën, por kjo nuk do të ndodhë dhe në protestën e radhës në shesh do të ketë më shumë protestues.

“Nga takimet që patëm me të afërm të njërit nga të ndaluarit marrim vesh që i kanë keqtrajtuar dhe të ëmën dhe të atin dhe djalin që kanë ndaluar. Erdhëm për të marrë kontakt me shefin e komisariatit na gënjyen që i kanë prekur me dorë. Kur ne kërkuam që ti takonim nuk na lanë të kishim mundësi, gjë që na konfirmon bindjen se ndaj tyre është ushtruar dhunë. Megjithatë mësojmë që në komisariate të tjera kanë ndaluar dhe të rinj të tjerë. Ajo që dua të bëj publike është që PD do të jetë pranë këtyre njerëzve të ndaluar, ata janë njerëzit tanë, do i mbështesim deri në fund dhe do bëjmë të mundur të fitojnë lirinë që meritojnë. Duan të bëjnë sot terror ndaj njerëzve të opozitës për të ulur tempin e saj po të jeni të bindur që nuk do ta ulin dot kurrë”, tha Ristani.

Top Channel