Pretenca e Prokurorisë për grupin e Lazaratit

09/12/2015 10:35

Pas 14 seancave me gjykim të shkurtuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi që të dënohen me 110 vite burg në total dhjetë të pandehurit e dosjes “Lazarati 1”.

Prokuroria i tha gjykatës se i pandehuri kryesor, Gate Mahmutaj, të dënohet me 18 vjet burgim për veprat “grup i strukturuar kriminal, kundërshtim i policisë, kultivim të lëndëve narkotike dhe prodhim e mbajtje të municioneve luftarake”.

Prokurori kujtoi planin operacional të Policisë së Shtetit gjatë qershorit 2014 dhe ndërhyrjen e policisë për të vendosur nën kontroll Lazaratin, ku prej vitesh kultivohej bima narkotike. Epiqendra e shkëmbimit të zjarrit me policinë ishte pikërisht në magazinën e Gate Mahmutajt, në mbështetje të të cilit, sipas prokurorisë, ishin rreth 40 persona, ndërsa më pas disa prej tyre hynë edhe në fshat, duke zënë pozicione të caktuara.

Ky bashkëpunim mes tyre nuk ishte rastësor, sipas prokurorisë, e për këtë edhe të pandehurit e tjerë duhet të dënohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Mbi këto argumenta prokuroria kërkoi 17 vjet burgim për Arjan Bashën, 14 vjet burgim për Ramadan Bashën, 13 vjet për Altea Haskën dhe 8 vjet për Vandam Mahmutajn.

Ndërkohë, që vetëm për njërin nga të pandehurit u tërhoqën akuzat. Për Drini Alikon prokurroia kërkoi 3 vjet burgim për moskallzim krimi.

Për të gjithë të pandehurit prokuroria kërkoi të aplikohet zbritja e 1 të 3-tës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa ata, sipas akuzës, duhet ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.

Top Channel