NATO, Stoltenberg në Tiranë; takime për mbrojtjen dhe terrorizmin

09/12/2015 17:25

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të jetë nesër në Tiranë. Kjo përbën vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Sipas axhendës së përcaktuar një muaj më parë, kreu i Aleancës Euro-Atlantike do të takohet me presidentin e Republikës, kryeministrin, ministren e Mbrojtjes e ministrin e Jashtëm dhe rreth mesditës do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp në selinë e Kryeministrisë.

Sekretari i përgjithshëm nuk pritet të flasë mbi manifestimet, apo për çështje të politikës së brendshme në vend. Top Channel mëson se në fokus të këtyre takimeve do të jenë rritja e buxhetit për mbrojtjen dhe iniciativa e qeverisë shqiptare për krijimin e një qëndre trajnimi rajonale për luftën kundër terrorizmit, e cila gjen mbështetjen e kësaj organizate ushtarake.

Sipas burimeve konfidenciale, një tjetër temë diskutimi është dhe mbështetja për Forcat e Sigurisë së Kosovës, për t’i ndihmuar ato në transformimin në ushtri, një objektiv ky i Kosovës, për të cilin NATO vlerëson se vendi duhet të bëjë më shumë për ta arritur.

Përgjithësisht, pritet të preken dhe zhvillimet e fundit në rajon, kryesisht në kuadër të politikave të sigurisë, të luftës kundër terrorizmit, të gadishmërisë së NATO-s për të kontribuar ndaj fluksit të refugjatëve, por dhe shqetësimet që lidhen me shtimin e deklaratave të Rusisë për destabilizim të Ballkanit, pas vendimit të ministerialit për të ftuar Malin e Zi në Alencën Euro-Atlantike.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA