
Një tjetër krim në familje është shënuar me protagonistë shqiptarët në Itali, këtë herë në Varese, ku burri ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij brenda shtëpisë.
Sipas informacioneve të publikuara në mediet italiane, 31-vjeçarja Marina Preducaj ka rënë prè e sulmit të të shoqit 42 vjeç, Gjin Preducaj, në një mënyrë tepër makabër, duke qenë se ia ka prerë fytin përpara syve të fëmijëve.
Lajmin fillimisht e kanë dhënë zyrtarë të Emergjencës Rajonale (AREU), që kanë folur për një “krim të dhunshëm” të ndodhur rreth orës 02:30 të mesnatës.
Forcat policore të karabinierëve në Gallarate nuk japin informacion mbi hetimet, por mësohet se ka qenë vet autori i krimit që, mënjeherë pas vrasjes së të shoqes ka marrë në telefon familjen e tij, për t’i rrëfyer motrës së tij atë çfarë ndodhi, e më pas ka marrë ndihmën e shpejtë në 118.
Me të mbërritur forcat e rendit në vendngjarje, shqiptari ka pranuar fajësinë dhe është shprehur vetëm me fjalët “isha unë”.
Top Channel