Abuzimi me çmimet, AMK nis kontrollin e tregjeve

09/12/2015 00:00

Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka nisur kontrollin në 15 tregjet e shitjes me pakicë në kryeqytet të cilat cdo fund vit në prag të festave kanë tendencën e rritjeve fiktive të çmimeve.

Kreu i Agjencisë gjatë një inspektimi në tregun e Uzinës Dinamo u kërkoi tregtarëve të afishojnë cmimet e produkteve që shesin ndërsa paralajmëroi ndëshkimin e tregtarëve abuzues.

“Por çfarë ndodh nëse do të kapen tregtarë abuzues? Njoftohen organet tatimore, të cilët kanë kompetencë të marrin masa ndaj tregtare deri në konfiskim të mallit”, Rudina Hoxha, kreu i AMK-së.

Agjencia thotë se do të vazhdojë të ballafaqojë këto çmime me çmimet e referencës nga INSTAT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Po ashtu u kërkon tregtarëve të përmirësojnë kushtet higjieno-sanitare të këtyre tregjeve ndërsa prej disa ditësh në bashkëpunim me policinë bashkiake ka nisur një fushatë për moslejimin e tregtimit të gjësë së gjallë në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës pritet të çelë këto ditë katër tregje provizore ku do të tregtohen në mënyrë të organizuar produktet që konsumohen me rastin e festave të fundvitit.

Top Channel