Tritol makinës në lëvizje, plagoset ushtaraku

08/12/2015 09:15

Efektivi i Policisë Ushtarake në Durrës, Elton Imeri ka rënë pre e një atentati mëngjesin e kësaj të marte, kur makina e tij ka shpërthyer në ecje në zonën e Kombinatit në kryeqytet.

34-vjeçari është plagosur rëndë në pjesën e këmbëve për shkak të mbi 100 gramëve tritol që dyshohet se i është vendosur në automjetin e tij tip “Volksëagen Golf” me targa AA880BX.

Shpërthimi ka ndodhur sapo ushtaraku ka dalë nga banesa e tij në “Rrugën e Qelqit”, ndërsa ai është dërguar në spital me urgjencë dhe mësohet se gjëndja e tij ndodhet tepër e rëndë.

Policia ka nisur hetimet për motivet e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se sulmi ka lidhje me një konflikt të vjetër të familjes Imeri me një familje tjetër për çështje ende të paditura.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se kjo ngjarje mund të ketë lidhje me një atentat të ngjashëm me tritol, që një i afërm i ushtarakut Imeri i shpetoi disa muaj më parë po në zonën e Kombinatit, pasi zbuloi lëndën plasëse që i ishte vendosur në automjetin tip Fiat.

Po burime nga policia, bëjnë me dije se për shpërthimin e kësaj të marte dyshohet të jetë përdorur mekanizmi i telekomanduar me celular, ndërsa një ndihmë për zbardhjen e ngjarjes pritet të japin kamerat e sigurisë që gjenden në këtë zonë.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel