Opozita djeg bunkerin, simbolin e diktaturës pranë Ministrisë së Brendshme

08/12/2015 13:30

Pas thirrjes së Ndregjonit, të gjithë protestuesit iu drejtuan bunkerit në afërsi të Ministrisë së Brendshme. “Të gjithë së bashku le të marshojmë drejt Ministrisë së Brendshme, të shkulim bunkerin e Edi Ramës, që e ka ndërtuar në kujtim të Enver Hoxhës”, tha Besim Ndregjoni.

Në kohën që protestuesit marshonin drejt qendrës së kryeqytetit, një urdhër i drejtuesve të Policisë i dërgoi të gjitha Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që ndodheshin të dislokuara pas godinës së Kryeministrisë, drejt Ministrisë së Brendshme. Forcat që mbërritën të parat u vendosën për fare pak çaste te rrethimi i bunkerit.

Por drejtuesit e Policisë morën menjëherë vendimin ta lëshonin atë rrethim, duke i lënë protestuesit të përfundonin qëllimin e tyre. Policët janë tërhequr mbrapsht, duke marrë në ruajtje vetëm godinën në ndërtim të Ministrisë së Brendshme.

Pas largimit të policisë nga bunkeri, nuk kaluan vetëm pak sekonda e protestuesit shkatërruan rrethimin dhe hipën mbi bunker. Ndërkohë që policia ishte tërheqhur disa metra më tej dhe la vrullin e protestuesve të shkonte drejt bunkerit, pa i ndalur ata.

Nuk pati asnjë konfrontim fizik midis policisë dhe protestuesve. Ndërsa iu vu zjarri bunkerit, të rinj protestues qëlluan drejt godinës së Ministrisë së Transporteve, duke shkatërruar pothujase të gjitha dritaret e katit të parë dhe të dytë.

Turma e protestuesve kishte si qëllim shkatërrimin e plotë të bunkerit dhe në këto çaste policia bëri rolin vetëm të vëzhguesit, ashtu siç ishin edhe urdhrat e eprorëve.

Për më shumë se një orë, protestuesit kanë qëlluar me shufra hekuri mbi bunker dhe ndihmuan zjarrin nga brenda me shkopinj dhe rrota automjetesh. Për të parë shkatërrimin e bunkerit ishte për disa minuta mes protestuesve edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Pas largim të tyre nga protesta, deputetët i orientuan të gjithë protestuesit të mblidheshin në selinë e PD-së. Me ikjen e protestuesve, policia vuri kordonin policior dhe shiritat e saj, duke e bllokuar të gjithë zonën. Ndërkohë që flakët brenda bunkerit ishin shuar, kalimtarë të rastit bënin foto.

FOTO GALERI
2/18

Top Channel