
“Fiks Fare” ka sjell në vëmendje gjendjen e rëndë në Kopshtin nr. 13 në lagjen “24 Maji” në Vlorë. Suvatë kanë rënë, ka lagështirë nëpër mure, ndërsa tavani i katit të dytë rrezikon të shembet.
Drejtoresha e kopshtit, Efigjeni Muskaj, tregon se prej dhjetë vjetësh vuajnë këtë gjendje, ndërsa rrezikohet edhe jeta e 100 fëmijëve të cilët shkojnë në institucionin që drejton ajo.
Efigjeni Muskaj, drejtore e kopshtit nr. 13, Vlorë: Knaë qenë gjithsej 100 fëmijë, por aktualisht vijnë 50-60 fëmijë. Ka gati 18 vjet që është rikonstrukturuar nga fondacioni “Soros”, ndoshta cilësia jo e mirë e punimeve dhe arsyeja tjetër është edhe shtrimit me pllaka që kjo situatë sa ka ardhur e është vështirësuar. Tarraca nuk është e izoluar dhe ky është shkaku kryesor.
Fiksi: Në të gjitha ambientet e kopshtit kishte suva të rënë dhe lagështirë, kështu ka qenë prej vitesh?
Efigjeni Muskaj: Po, kështu ka qenë prej vitesh. Kam 18 vite drejtoreshë dhe këtë gjendje e vuajmë prej dhjetë vitesh. Tani me kryetarin e ri të bashkisë kanë ardhur disa herë, ka qenë edhe inxhinierja e Drejtorisë Arsimore, po kështu edhe drejtoresha e kësaj drejtorie. Jemi në një moment që duhet të kalojmë dikur tjetër.
Fiksi: Është dhënë urdhri për pezullimin e kopshtit?
Efigjeni Muskaj: Po është dhënë urdhri për pezullimin prej një javësh. Problemi qëndron se ne nuk e dimë se ku do të shkojmë sepse nuk kemi gjetur një ambient tjetër.
Por, përveç nga lagështia, fëmijët janë të rrezikuar edhe nga ndonjë shembje e tavanit, pasi vetëm një lëkundje e vogël mund të sillte pasoja të paparashikueshme.
Pandeli Bilkili, shef i inspektimit pranë Inspektoriatit Shëndetësor tregon se pas inspektimeve te njëpasnjëshme që ata kanë bërë dhe detyrave të parealizuara, kanë vendosur pezullimin e këtij kopshti pasi situata është dramatike dhe duhet të ndërhyhet menjëherë.
“Është jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe në rrezik shembje. Nëse bashkia nuk merr masa të menjëhershme ne do të detyrohemi të kalojmë në masën e gjobës”, thotë ai.
Ndërsa, nënkryetari i Bashkisë Vlorë, Ardi Musta thotë se në lidhje me këtë problematikë është mbledhur edhe Këshilli Bashkiak dhe ka miratuar planin për ndërtimin e kopshtit në vlerë 10 milionë lekësh.
Por, ai pranon se ende nuk kanë gjetur një zgjidhje se ku do të shpërngulen fëmijët gjatë kohës së ndërtimit, por thotë se janë në kërkim të një vendi të përshtatshëm, ndërsa shpreson që të fillohet sa më parë me ndërhyrjet në kopsht.
Top Channel