Rivaliteti Hamilton-Rosberg, rritet frika te skuadra Mercedes

07/12/2015 00:00

Rivaliteti mes Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg ka rritur akoma më shumë frikën te Mercedes. Shefi i skuderisë gjermane, Totto Wolff u ka bërë një tjetër paralajmërim 2 pilotëve duke theksuar se ky raport i vështirë mund të dalë jashtë kontrollit në Botërorin e Formula 1 të vitit të ardhshëm.

Për këtë arsye, Wolff  bëri një deklaratë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Autosport duke theksuar se nuk do të lejojë që ky rivalitet të rrisë më shumë tensionet në skuadër.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të ruajmë shpirtin e skuadrës dhe konkurrenca mes Nico dhe Lewis ka qenë shumë e ashpër. Rivaliteti i tyre është mëse i kuptueshëm, pasi ata kanë në dispozicion një makinë që u jep mundësinë për të luftuar për titullin botëror. Sigurisht nuk pretendojmë që të jenë miq, por duhet të tregohemi të kujdesshëm pasi kompetitiviteti mund të sjellë edhe përçarje. Kemi parë të ndodhë dicka e tillë në skuadra të tjera në të kalurën dhe një përçarje e tillë e dëmton dinamikën brenda skuderisë”, tha ai.

Wolff shtoi se nëse gjërat do të tensionohen akoma më shumë, atëherë Mercedes nuk e përjashton mundësinë që të vendosë hierarkitë mes pilotëve, ndërkohë që përmendi edhe stilin e jetesës së Lewis Hamilton.
 
Volff theksoi se është i kënaqur që e lejon britanikun që ta jetojë kohën e lirë sipas dëshirës së tij, duke parë se ajo nuk ndikon në rezultatet e tij në pistat e garave të Formula 1.

Top Channel