Biznesi kundër penalizimeve: Favorizojnë kontrabandën

07/12/2015 00:00

Biznesi i kërkoi qeverisë të tërhiqet nga ashpërsimi i masave penale kundër evazionit, pasi sipas dhomave të tregtisë ato nuk do të kenë efekt. Nikolin Jaka tha se rritja e represionit do fuqizojë më shumë njerëzit e lidhur me pushtetin.

“Bizneset informale kontrabandiste, kanë qënë ortakët e pjesës së zezë të politikës. Pra, nuk është se biznesi me penalizime të rritura tashmë mund të formalizohet. Jo. Unë ju siguroj që sado ti rrisni penalizimet, po ata njerëz të kontrabandës dhe informalitetit do të jenë dhe më të fuqishëm”, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Përfaqësuesit e biznesit ishin në komisionin e ekonomisë për tu pyetur mbi paketën e re fiskale.

“Çfarë na shtyn ne të shtojmë akcizën për prodhimn vendas, presioni ndërkombëtar apo presioni i importit”, tha Stefan Pinguli.

“Si mund të vijë të investojë një industri e huaj këtu, të ëj një fabrikë, kur e ka më mirë ta sjellë nga importi birrën se ta prodhojë në vend sepse kostot tona janë më të larta se importi”, tha Luan Bregasi, Biznes Albania.
 
Industria e sigurimeve kërkon që të anulohet rritja e taksës mbi primin nga 3 në 10 për qind.

“Kjo tendencë për të rritur taksën me 10% në të gjitha produktet mendoj se do të frenojë zhvillimin e kësaj industrie”, tha Avni Ponari.

Ndërsa Shoqata e Turizmit kërkojnë uljen e TVSH-së në 10 për qind për ta barazuar me rajonin.

“Nuk bëhet fjalë për të konkurruar rajonin, Malin e Zi që ka një të tretën e të gjithë resorteve dhe Kroacinë se na ka lënë prapa në kohë. Po ne po na konkurron Maqedonia me një gjysmëliqen”, tha Zak Topuzi, Shoqata e Turizmit.
 
Komisioni i Ekonomisë vendosi t’i dëgjojë bizneset gjatë shqyrtimit nen për nen të paketës fiskale, pasi draftet janë miratuar sakaq parimisht nga Parlamenti.

Top Channel