Studimet dhe raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë si vendin e parë në Europë i cili është i rrezikuar nga katastrofat natyrore.
“Raporti i riskut botëror i vitit 2014 i botuar nga Kombet e Bashkuara, Instituti për Mjedisin e Sigurinë Njerëzore, i cili ka llogaritur rrezikun e riskut nga fatkeqësitë natyrore për vitin 2014, e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe 37 në botë”, thotë Shemsi Premçi, Drejtor i Emergjencave Civile.
Gjatë këtyre dy dekadave janë shfrytëzuar në mënyrë barbare lumenjtë, është ndërhyrë në shtratin e tokës, janë prerë mijëra hektarë pyje dhe nuk është bërë asgjë për rehabilitimin e tyre. Ky indiferentizëm është përcjellë edhe tek struktuarat e emergjencave civile të cilat kanë ardhur duke u tkurrrur, dhe në raste katastrofash natyrore gjenden pa asnjë plan menaxhimi.
“Me dashje ose pa dashje janë prerë pyjet, erozioni është prezent. Ne kemi parë vetëm vitin e kaluar dhe në këtë fillim viti dy viktima. Pra, nuk jemi të pacënueshëm ndaj fatkeqësive të tilla”, thotë Manuela Bello, përfaqësuese e UNFPA.
“Çdo ministri duhet të ketë sektor ose drejtori. Ose në çdo bashkie -prefekturë duhet të ketë drejtori dhe sektor. Nuk e zbaton askush dhe i kanë shkurtuar organikisht. Kjo është këmbanë alarmi për të gjithë ne”, tha Premçi,
Kreu i Emergjencave Civile tha se nga viti i ardhshëm çdo prefekturë- bashki do të ketë strukturën e emergjencave civile e cila duhet të funksionojë si një sistem i vetëm.
“Pra në institucionet e prefektit të qarkut nuk do të ketë më vetëm një specialist të emergjencave civile, por një sektor të planifikimit dhe përballimit të emergjencave civile. Pranë bashkive me qendër qarku ngritja e drejtorive për emergjencat civile që deri më sot nuk ka pasur fare. Tashmë do të jetë detyrim që prefekturat do të kenë drejtori me 7 deri në 11 veta sipas madhësisë. Dhe në bashkitë e tjera, me përjashtim të bashkisë së Pustecit, e cila është bashki e vogël dhe do të ketë specialist, të gjitha të tjerat do të kenë sektor të emergjencave civile me 3-5 vetë”, vijon Premçi.
Raporti i Kombeve të Bashkuara për popullsinë tregon se janë 100 milion njerëz në nevojë, ku 26 milion prej tyre janë gra dhe vajza adoleshente.
Top Channel