Partia Demokratike mbështeti peticionin e rreth 500 familjeve në Fushë Bulqizë, të cilat i kanë nënshkruar peticion qeverise, për të ndalur, sipas tyre, një kompani të prerjes së pemëve në pyllin pranë banesave të tyre.
Ata thonë se kompania është e një të afërmi të ministrit Ylli Manjani dhe njëkohësisht daja i deputetit të LSI, Përparim Spahiu.
Banorët thonë se pylli i mbron nga ortekët dhe nga përmbytjet, si dhe është burim natyror jetese për ta.
“Nëse ky pyll do të shkatërrohet, atëherë ne nuk do të kemi as ujë të pijshëm e as për të vaditur. Në një kohë kur shteti nuk po na jep asgjë, pse po na bije në qafë me këto firma mashtruese”, shprehet një prej banorëve.
“Ortekët dhe erozioni do të vazhdojnë në mënyrë të vazhdueshme. Këtu po bëhet kasaphane, të hanë pas shpine. Ne vetëm këtë mal pyll kemi edhe këtë synon të na e marrë shteti i korruptuar. I lutemi shtetit të mos bëje forcë me popullin”, shprehen disa banorë të tjerë.
Ata shtuan se janë të indinjuar nga mungesa e reagimit të Qeverisë, ndërsa janë arrestuar sipas tyre ata që kanë protestuar kundër prerjes së pyllit.
Zyrtarët e Partisë Demokratike thanë se do të mbrojnë interesat jetike të banorëve, duke cilësuar si të papranueshëm arrestimin e atyre që mbrojnë pyllin dhe të keqtrajtohen në komisariat vetëm se kanë denoncuar, sipas tyre, këtë korrupsion të pushtetarëve.
“Për fat të keq, shteti në vend që të mbrojë pyllin dhe banorët, mbron keqbërësin dhe fut në burg 21 nga këta banorë, duke i keqtrajtuar në zyrat e policisë”, u shpreh Jamarbër Malltezi, departamenti i Turizmit, PD.
Top Channel